Lajmet pozitive nga 2017

Përpjekjet për njohjen e të drejtave të personave LGBTI janë kthyer në burim të forcës për vetë komunitetin. Vit pas viti, në çdo paradë krenarie konfirmohet se komuniteti LGBTI ka zë dhe nuk ngurron ta shprehë. 

Disa ngjarje që mbeten kujtim nga viti 2017:

-          U legalizuan martesat homoseksuale në Australi, Gjermani dhe Maltë. Kjo i shton 3 vendet në listën totale të 26 vendeve që i kanë legalizuar martesat homoseksuale, në 18 vitet e fundit. Pritet që Taivani të sigurojë kushtet për legalizimin e martesave mes të njëjtit seks për 2019-ën.

-          Më shumë njerëz të deklaruar (persona që kanë dalë hapur për orientimin e tyre seksual), kanë fituar në zgjedhjet e fundit në SHBA. Më shumë se 30 persona LGBTI që garuan në zgjedhje, arritën të siguronin një mandat. Përveç SHBA-ve, u siguruan poste të rëndësishme edhe në vende të tjera. Emra që mund të listojmë në rang botëror, janë: Lisa Middleton (SHBA), Danica Roem (SHBA), Ana Brnabić (Serbi), Leo Varadkar (Irlandë),  Tomoya Hosoda (Japoni).

-          Disa shtete aprovuan ligje kundër diskriminimit për komunitetin LGBTI: Kanadaja kaloi ligjin C-16 , për dënimin e diskriminimit ndaj personave transgjinorë në mbarë vendin. Gjykata Supreme në Indi deklaroi se çështja e mbrojtjes së orientimit seksual është një e drejtë kushtetuese. Ky hap mendohet t’i hapë rrugë apelimit të Seksionit 377, që kriminalizon homoseksualitetin. Së fundmi edhe Sri Lanka po i bën jehonë çështjes së dekriminalizimit të homoseksualitetit.

-          Komuniteti i transgjinorëve siguroi disa fitore të rëndësishme. Presidenti Trump deklaroi se personat transgjinorë nuk do të kishin të drejtë të shërbenin në ushtri, por në fund kjo përpjekje u bllokua. Danimarka e zhvendosi identitetin trans nga lista e çrregullimeve mendore. National Geographic vendosi në kopertinën e revistës imazhin e një personi transgjinor, për herë të parë. Gjithashtu, më shumë se gjysma e amerikanëve të pyetur, u shprehën se do ta mbështesnin fëmijën e tyre nëse do të deklarohej transgjinor.

-          Personat interseks u bënë më të njohur nga publiku i gjerë. Në New York u lëshua çertifikata e parë e lindjes që merr në konsideratë personat interseksualë. Modelja Hanne Gaby Odiele del hapur si interseksuale. Nga U.S. Surgeons General bëhet thirrje për të ndaluar ndërhyrjet e pavullnetshme kirurgjikale te foshnjat interseksuale.

-          Shumë njerëz të famshëm dolën hapur rreth orientimit të tyre seksual. Katie Sowers, Barry Manilow, Shannon Purser, Tyler the Creator. Shumë persona të tjerë dolën në krahë të komunitetit LGBTI, si aleatë në njohjen dhe pranimin e tyre.

-          Në kinema u shfaqën prodhime të reja me në fokus personazhet gej, lesbike. Përmenden “Moonlight”, “American Gods”, “Super girl”, “The Bold Type”.

-          U shënuan zhvillime të reja në parandalimin dhe trajtimin e virusit HIV.

-          Persona të komunitetit LGBTI iu bashkuan solidarizimit për viktimat e tragjedive natyrore, duke kontribuar financiarisht.

-          Anëtarë të komunitetit ndihmuan që “Marshimi i Grave” të merrte përmasa historike dhe të kthehej në një nga protestat më masive në SHBA. Paradat e krenarisë, në shumë vende u zëvendësuan nga marshimet e rezistencës. Anëtarë të lëvizjes “Homoseksualët kundër armëve”, protestuan në rrugë kundër dhunës së drejtuar nga personat homofobë.

Burimi: http://www.newnownext.com/11-amazing-things-that-happened-for-lgbt-people-in-2017-in-spite-of-trump/12/2017/