Studim mbi ‘Coming out’ dhe vetëvlerësimin te të rinjtë LGBTI 

Kemi trajtuar më herët çështjen e ‘coming out’ ose të deklarimit nga një person se është L/G/B/T/I. Lidhur me këtë, mund të bëjmë një lidhje mes vetëvlerësimit dhe daljes hapur përkundrejt mosdeklarimit. Vetëvlerësimi ka të bëjë me mënyrën sesi një person ndihet për veten. Vetëvlerësimi i lartë është vlerësim pozitiv për veten. Vetëvlerësimi i ulët mund të karakterizohet nga pasiguria dhe tërheqja në vete.

Nga një studim i kryer nga Universiteti i Arizonës, rezulton se lidhja mes vetëvlerësimit të lartë dhe ‘coming out’ është pozitive. Me fjalë të tjera, studimi bën të ditur se ‘coming out’ gjatë viteve të adoleshencës, ka forcuar vetëvlerësimin e këtyre të rinjve në vitet e ardhshme. Kjo vlen krahasuar me të rinjtë që nuk janë deklaruar si L/G/B/T/I gjatë adoleshencës. Në studim morën pjesë 245 të rinj LGBTI, nga Kalifornia e Veriut. Të rinjtë që kishin dalë hapur gjatë kohës së gjimnazit, kishin përjetuar bullizëm në shkollë por niveli i tyre i depresionit kishte qenë më i ulët krahasuar me të rinjtë e padeklaruar. Të dalit hapur gjatë adoleshencës i kishte ndihmuar në forcimin e vetëvlerësimit në vitet që pasuan. Pra, pavarësisht se mjedisi shoqëror nuk ka qenë përkrahës, të rinjtë kanë arritur ta kthejnë situatën në qasje më pozitive.

Megjithatë, studimi mbetet i kufizuar (qoftë për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve, gjithashtu edhe për hapësirën gjeografike që mbuloi). Ajo që ka vlerë të shtuar për çështjen në fjalë, është të marrit parasysh se ‘coming out’ përfshin trekëndëshin vetja-të tjerët-bota. Bashkëpunimi i mirë i të trejave, mund të përgjithësohet në funksionim të mirë jo vetëm në terma të vetëvlerësimit.

Burimi:

 

Russell, S. T., Toomey, R. B., Ryan, C., & Diaz, R. M. (2014). Being out at school: The implications for school victimization and young adult adjustment. American Journal of Orthopsychiatry