Diskutimet për martesat mes seksit të njëjtë vazhdojnë dhe zënë jo pak vend në gjithë morinë e diksutimeve për komunitetin LGBTI në përgjithësi. Megjithatë disa studiues janë ndalur në një tjetër fenomen shoqëror që mund të prekë si çiftet heteroseksuale, ashtu edhe çiftet homoseksuale – divorci.
Zgjidhja e martesës shënon shifrat më të larta në këto vende të Evropës: Belgjikë, Spanjë, Portugali, Luksemburg, Repubika Çeke, Hungari. Sipas statistikave, Kili kap shifrën më të ulët të divorceve në rang botëror (3%). Në vitin 2014, Shqipëria njohu 17.8% divorce për çdo 100 martesa (INSTAT). Këto statistika janë për divorcet pa dallim seksi në lidhjet martesore. Pra, mund të themi se çdo divorc me vendim gjykate përfaqëson shifrat përkatëse për vendet e përmendura – martesa heteroseksuale dhe homoseksuale sëbashku.
Siç e përmendëm, divorcet nga martesat mes të njëjtit seks janë përfshirë në shifrat e përgjithshme të divorceve. Studiuesit Lee Badgett dhe Jody Herman, mblodhën të dhëna nga regjistrat e shtetit amerikan për divorcet (specifikisht divorcet nga martesat homoseksuale). Përfundimet e tyre janë përmbledhur si më poshtë:
§ Divorcet nga martesat mes të njëjtit seks arrijnë në 1%, ndërsa divorcet nga martesat me seks të kundërt – 2%.
§ Rreth 2/3 e martesave mes të njëjtit seks janë çifte lesbikesh. Pra, partneret femra preferojnë martesën më tepër sesa partnerët meshkuj (ligjërisht).
§ Çiftet homoseksuale preferojnë martesën para statuseve të tjera civile që mund të gëzojnë.
Ajo që bie në sy është se shifrat e divorceve të martesave homoseksuale janë më të ulta krahasuar me divorcet e martesave heteroseksuale. Mund të ketë shumë faktorë që sjellin këtë përfundim statistikor por gjithashtu duhet marrë parasysh se numri i martesave heteroseksuale është më i lartë se ai i martesave homoseksuale. Kjo nënkupton se për një numër më të madh (konkretisht martesash heteroseksuale), gjasat janë më të larta për divorc. Megjithatë, mund të hamendësojmë se partnerët e të njëjtit seks (të lidhur në martesë), kanë një “çelës” suksesi që i largon nga përfundimi i marrëdhënies në divorc.
Burime:
Badgett, L. & Herman, J. (2011) Patterns of Relationship Recognition by Same-Sex Couples in the United States, The Williams Institute.
http://www.businessinsider.com/map-divorce-rates-around-the-world-2014-5
http://www.instat.gov.al/media/303844/albania_in_figures_2014.pdf