Ngjarjet që shënuan historinë

   Flasim për komunitetin LGBT dhe marrim parasysh vetëm të rejat më të bujshme. Jo të gjithë kanë një kujtesë të ngjarjeve shenjuese të komunitetit përgjatë viteve. Për të arritur në ditët e sotme, duhet njohur konteksti që përfshin përpjekjet dhe arritjet e organizatave, aktivistëve, personave LGBT. Informacioni në vijim paraqet dinamikat më të spikatura ndër vite, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Viti 1924 – Themelohet “Society for Human Rights” nga aktivisti Henry Gerber, në Chicago. Kjo është organizata e parë për të drejtat e personave homoseksualë.

Viti 1950 – Themelohet “The Mattachine Society” nga aktivisti Harry Hay. Kjo organizatë synonte të mbronte dhe përmirësonte të drejtat e meshkujve homoseksualë, duke promovuar pranimin social dhe mbështetjen ndaj tyre.

Prill 1952 – Shoqata Amerikane e Psikiatrisë (APA) e kategorizon homoseksualitetin si çrregullim të personalitetit sociopat.

Prill 1953 – Presidenti amerikan i asaj kohe, Eisenhower, firmos një urdhër ekzekutiv që ndalonte homoseksualët të punonin për qeverinë, duke i konsideruar si rrezik për sigurinë.

Shtator 1955 – Krijohet në San Francisco organizata e parë e njohur për të drejtat e lesbikeve – “Daughters of Bilitis”. Kjo organizatë shërbente si forum për takime dhe diskutime mes vajzave lesbike, që shpeshherë diskriminoheshin dhe dhunoheshin nga forcat e rendit.

Korrik 1961 – Dekriminalizohet homoseksualiteti për herë të parë, në shtetin e Illinois.

Shtator 1961 – Shfaqet dokumentari i parë për homoseksualitetin në një televizion lokal, në Californi.

Qershor 1969 – Policia sulmon Stonewall Inn (tavernë, bar për personat homoseksualë). Nis reagimi me demonstrata, e cila më vonë do të konsiderohet si një nga lëvizjet më të mëdha për të drejtat civile të homoseksualëve.

Viti 1969 – “The Los Angeles Advocate”, e themeluar në vitin 1967, do të riemërohet “The Advocate”. Njihet si një nga publikimet më të hershme për personat LGBT.

Qershor 1970 – Anëtarët e komunitetit LGBT marshojnë në New York në përkujtim të 1-vjetorit të demostratës së Stonewall. Quhet ndryshe “Christopher Street Liberation Day” dhe sot njihet si parada e parë e krenarisë.

Viti 1973 – Themelohet “Lambda Legal”, organizata e parë që mbështet nga ana ligjore të drejtat e personave gej dhe lesbike. Gjykata Supreme në New York vendosi që ajo të ekzistonte si organizatë jofitimprurëse.

Janar 1973 – Shteti i Maryland bëhet shteti i parë që dënon martesat mes të njëjtit seks.

Mars 1973 – Krijimi i asaj që më vonë njihet si PFLAG, organizatë mbështetëse e komunitetit, e përbërë nga anëtarë të komunitetit, prindër dhe aleatë.

Dhjetor 1973 – APA (Shoqata Amerikane e Psikiatrisë) e heq homoseksualitetin nga lista e çrregullimeve mendore.

Viti 1974 – Kathy Kozachenko është kandidatja e parë homoseksuale që zgjidhet në një post publik, në Këshillin e Michigan-it.

Viti 1974 – Elaine Noble është kandidatja e parë homoseksuale që zgjidhet në një post shtetëror, në Legjislaturën e Massachusetts.

Janar 1975 – Propozohet ligji i parë federal për të adresuar diskriminimin me bazë orientimin seksual. Ky ligj shkoi në instancat më të larta por nuk u mor në konsideratë.

Mars 1975 – Leonard Matlovich, oficer i forcave ajrore, del hapur për orientimin e tij seksual. U përjashtua nga forcat ajrore 6 muaj më pas. Në vitet e mëvonshme u dekorua me “Purple Heart” dhe “Bronze Star”.

Viti 1976 – Pas ndërhyrjes kirurgjikale për ndërrimin e seksit, tenistit Renee Richards i ndalohet pjesëmarrja në turneun për femra të US Open. Richards e sfidoi vendimin dhe e çoi çështjen në Gjykatën Supreme të New York-ut, çështje të cilën e fitoi.

Vitet 1977-1981 – Aktori Billy Crystal luan rolin e një personazhi gej, në shfaqjen televizive “Soap”. Ky është një nga rolet e para ku personazhi deklaron orientimin seksual.

Janar 1978 – Zgjidhet Harvey Milk si politikani që do të drejtojë një post të rëndësishëm në Californi. Vritet në po të njëjtin vit nga Dan White, tjetër figurë politike.

Viti 1978 – Duke marrë shkas nga vrasja e Milk, Gilbert Baker krijon simbolin e krenarisë dhe shpresës për komunitetin – flamurin e ylbertë.

Tetor 1979 – Zhvillohet marshimi i parë kombëtar për të drejtat e personave gej dhe lesbike. Morën pjesë rreth 125 mijë persona.

Mars 1982 – Shteti i Wisconsin bëhet shteti i parë që dënon diskriminimin me bazë orientimin seksual.

Viti 1983 – Lambda Legal fiton çështjen që u ngrit nga përjashtimi i doktorit Joseph Sonnabend, të cilin e përzunë fqinjët nga banesa, për shkak se trajtonte pacientët LGBT të diagnostikuar me HIV.

Nëntor 1993 – Presidenti Bill Clinton firmos një direktive ushtarake për mosdaljen hapur të personave gej dhe lesbike gjatë kohës së shërbimit në ushtri. Kjo politikë parandalonte edhe ngacmimet ndaj personave homoseksualë. Mban emrin “Don’t ask, don’t tell”.

Nëntor 1995 – Dënimi i krimeve të urrejtjes i lejon gjykatësve të marrin masa dënuese më të rënda kur kanë prova se viktima është përzgjedhur për shkak të rracës, ngjyrës, besimit, origjinës, etnisë, gjinisë, aftësisë ndryshe, orientimit seksual.

Shtator 1996 – Presidenti Bill Clinton firmos Aktin e Mbrojtjes Martesore, që nuk njeh martesat e së  njëjtës gjini dhe përkufizonte martesën si “bashkim ligjor mes një burri dhe një gruaje, si bashkëshort e bashkëshorte.

Dhjetor 1996 – Gjykatësi i Hawaii-t, Chang, vendos se nuk i takon shtetit të privojë çiftet e të njëjtit seks nga lidhja në martesë. Kështu, Hawaii konsierohet si shteti i parë që u njeh çifteve homoseksuale të njëjtat privilegje me ato të çifteve heteroseksuale.

Prill 1997 – Komediania Ellen DeGeneres del hapur si lesbike në kopertinën e revistës “Time”, me kryetitullin: “Yep, I’m Gay”.

Prill 1997 – Personazhi i Degeneres – Ellen Morgan te seriali televiziv “Ellen”, bëhet personazhi i parë protagonist që del hapur në një shfaqje të rrjeteve televizive.

Prill 1998 – Vejusha e Martin Luther King Junior, Coretta Scott King, i kërkon komunitetit të të drejtave civile të ndihmojnë në përpjekjet për reduktimin e homofobisë.

Tetor 1998 – Studenti Matthew Shepard u lidh në një gardh dhe u torturua për vdekje, për shkak të orientimit të tij seksual. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm. Vdiq pas disa orësh në spital, nga plagët e rënda.

Tetor 1998 – Shfaqen për herë të parë në gjykatë vrasësit e Matthew Shepard, Russell Henderson dhe Aaron McKinney.

Prill 2000 – Vermonti bëhet shteti i parë që legalizon bashkimin civil mes çifteve të të njëjtit seks.

Qershor 2003 – Zhvillohet martesa e parë ligjore e një çifti me njëjtin seks, në Massachusetts.

Shtator 2005 – Legjislatura e California-s aprovon martesat homoseksuale.

Tetor 2006 – Gjykata Supreme e New Jersey vendos që ligjbërësit e shtetit duhet t’u sigurojnë të drejta dhe përfitime martesave të personave homoseksualë.

Maj 2008 – Gjykata Supreme e California-s vendos se martesat homoseksuale duhet të gëzojnë të drejta konstitucionale, ashtu si martesat heteroseksuale.

Nëntor 2008 – Votuesit e shtetit të California-s aprovojnë Propozitën 8, që i quan ilegale martesat homoseksuale.

Gusht 2009 – Harvey Milk vlerësohet me Medaljen e Lirisë (Medal of Freedom) nga presidenti Barack Obama.

Tetor 2009 – Presidenti Obama firmos Aktin për “Parandalimin e Krimeve të Urrejtjes” të Matthew Shepard dhe James Byrd Junior, që do të kthehej në ligj.

Gusht 2010 – Propozita 8 u konsiderua jokonstitucionale nga një gjykatës federal, duke hedhur poshtë vendimin e vitit 2008, në shtetin e California-s.

Shtator 2011 – Shfuqizohet fushata “Don’t ask, don’t tell”, që ndalonte personat homoseksualë që të dilnin hapur gjatë shërbimit të tyre në ushtri.

Maj 2012 – I ftuar në një intervistë, presidenti Obama bëhet presidenti i parë që mbështet publikisht lirinë për martesat homoseksuale.

Shtator 2012 – Partia Demokrate në SHBA bëhet partia e parë politike që mbështet publikisht martesat e të njëjtit seks, në një platformë kombëtare në Konventën Kombëtare Demokratike.

Nëntor 2012 – Tammy Baldwin është politikania e parë homoseksuale që zgjidhet në Senatin Amerikan, në Wisconsin.

Qershor 2013 – Gjykata Supreme në SHBA hodhi poshtë vendimin që konsideronte martesat homoseksuale si jokonstitucionale, duke u njohur të drejtat e tyre çifteve gej dhe lesbike.

Tetor 2014 – Gjykata Supreme miraton martesat e të njëjtit seks në shtetet: Utah, Oklahoma, Virginia, Indiana, Wisconsin. Ky vendim i hapi rrugë pranimit të të drejtave edhe në shtetet: Colorado, Kansas, North Carolina, South Carolina, West Virgina, Wyoming.

Qershor 2015 – Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes, Ash Carter, shpall se Mundësitë e Barabarta në Ushtri do të vendosin pro përfshirjes së personave homoseksualë si anëtarë të ushtrisë.

Prill 2015 – Gjykata Supreme në SHBA merr në shqyrtim argumentat mbi çështjen e lirisë për martesë në shtetet Kentucky, Tennessee, Ohio, Michigan.

Qershor 2015 – Presidenti i organizatës “Boy Scouts of America”, Robert Gates, shpall se nuk do të ndalohej pranimi i personave homoseksualë si punonjës dhe lidera Scout.

Maj 2016 – Senati Amerikan konfirmon si Eric Fanning si Sekretar të Ushtrisë, duke i dhënë atij mundësinë për të qenë sekretari i parë gej i një dege ushtarake në SHBA.

Qershor 2016 – Presidenti Obama shpall Stonewall Inn si monumentin kombëtar të të drejtave të personave LGBT.

Qershor 2016 – Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes, Carter, deklaroi se personat transgjinorë do të mund të shërbejnë pa kufizime në shërbimin ushtarak amerikan.

Gusht 2016 – Shënohet një numër rekord i atletëve që garojnë për Lojërat Olimpike. Fushata e të Drejtave të Njeriut vlerëson se ishin të paktën 41 atletë të deklaruar si gej, lesbike dhe biseksualë. Në vitin 2012 kjo shifër ka qenë 23.

Nëntor 2016 – Kate Brown betohet për pozicionin e Guvernatores në shtetin e Oregon-it. Kështu ajo është personi politik LGBT me postin më të lartë në SHBA.

Prill 2017 – Ndalohet diskriminimi në punë ndaj punonjësve LGBT, nisur nga rasti i Kimberly Hively, e cila u hoq nga kompania ku kishte punuar prej 14 vitesh, për shkak të orientimit të saj seksual.

Qershor 2017 – Distrikti i Columbia-s lejon zgjedhjen e gjinisë neutrale (X) për personat që kanë liçensë në drejtimin e automjeteve.

Qershor 2017 – Departamenti i Mbrojtjes deklaron shtyrjen me afat 6-mujor të pranimit të personave transgjinorë në ushtrinë amerikane. Sekretari Jim Mattis u shpreh se “kjo kohë u jepet personave transgjinorë për të vlerësuar më me kujdes ndikimin e gradave të tyre në ndërmarrjet e veprimeve ushtarake.

Korrik 2017 – Presidenti Trump deklaron përmes Twitter-it se personat transgjinorë nuk do të lejohen apo pranohen në shërbimet ushtarake amerikane.

Tetor 2017 – Kreu i Departamentit të Drejtësisë, Jeff Sessions, risjell në vëmendje ligjin federal të vitit 1964, që nuk mbron personat transgjinorë nga diskriminimi në punë, duke konsideruar zbatimin e tij edhe në ditët e sotme.

Nëntor 2017 – Votuesit e shtetit të Virginia-s zgjedhin kandidaten e parë transgjinore në Shtëpinë e Delegatëve të Viginia-s – Danica Roem.

Dhjetor 2017 – Një gjykatës federal del kundër vendimit të presidentit Trump për ndalimin e personave transgjinorë në shërbimin ushtarak.

 

Burimi: https://edition.cnn.com/2015/06/19/us/lgbt-rights-milestones-fast-facts/index.html