Monitorimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në median online

Personat LGBTI në Shqipëri vazhdojnë të përballen me gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim në jetën e përditshme jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë por edhe nga persona publik, politikëbërës apo media. Gjatë muajve tetor – nëntor 2015, Pro LGBT ka zhvilluar një monitorim për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në mediat online.

Qëllimi i këtij projekti të mbështetur nga Civil Rights Defenders ka qenë vlerësimi i etikës në median shqiptare dhe diagnostifikimi i problematikës së gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. Gjatë monitorimit i është kushtuar vëmendje e posaçme portretizimit të grupeve të margjinalizuara si dhe respektimit ose jo të të drejtave të njeriut në përmbajtjen e tekstit, elementëve të multimedias (video, foto etj) si edhe në komentet e përdoruesve.

Pjesë e këtij monitorimi të realizuar në muajt tetor dhe nëntor 2015 nga “Pro LGBT” dhe redaksia e faqjes për të drejtat e njeriut “Historia Ime”, kanë qenë portalet e lajmeve, GazetaTemA, Balkanweb, Panorama, Newsbomb.al, Syri.net, Dita dhe Shqiptarja.com.

Në total janë monitoruar mbi 750 artikuj nga të cilët janë analizuar në mënyrë të detajuar 208 artikuj me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes ose gjuhës diskriminuese. Në nivel përqindjeje, rezulton se grupi shoqëror më i diskriminuar është ai LGBT. Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit në këtë monitorim ka qenë e drejtuar në 67.7 përqind të rasteve ndaj grupeve shoqërore (LGBT, komunitetit Rom, grave, grupeve të caktuar për shkak të bindjeve politike dhe grupeve me etni të ndryshme) dhe 32.3 përqind ndaj individëve të caktuar.

Gjuha diskriminuese dhe/apo e urrejtjes ka qenë në 55 përqind të rasteve e drejtuar në mënyrë direkte, ndërsa në 45 përqind të rasteve ajo ka qenë e nënkuptuar dhe indirekt (përmes fotografive, videove shoqëruese, titujve apo nëntitujve).

Sipas monitorimit të medias online të kryer nga Pro LGBT, në grupin e komenteve të analizuara është vënë re se baza e diskriminimit ka qenë së pari për shkak të orientimit seksual dhe/ose identitetit gjinor, bindjeve politike dhe përkatësisë gjinore.

 

Por si na paraqitet gjuha e urrejtjes apo diskriminuese në mediat online?

 

Sipas grupit që ka kryer monitorimin, format e gjuhës së urrejtjes dhe apo diskriminimit janë kryesisht, përdorimi i fakteve të pavërteta, ekzagjerimeve, pavërtetësisë, fakteve mashtruese shtrembërimeve apo nxjerrjes jashtë kontekstit, apel të rremë për frikë, shtrembërime mbi kundërshtarin politik, etj); duke përdorur gjuhë përçarëse e tipit NE vs. ATA; me anë të metaforave dehumanizuese si dhe duke përdorur gjuhë që përkrah dhe nxit dhunën.