Raporti mbi diskriminimin dhe krimet e urrejtjes, Britani 2017

   Në një studim të realizuar nga specialistët e Stonewall dhe YouGov, viti 2017 rezulton sfidues për komunitetin LGBT në vendet e Britanisë. Të dhënat për diskriminimin dhe krimet e urrejtjes kanë përfshirë fakte nga jeta e përditshme, si të shkuarit në kafene, shëtitjet, kërkimi i shtëpive me qera, etj. Në raportin e studimit, janë publikuar shifra dhe përqindje për totalin e mbi 5.000 personave LGBT që kanë marrë pjesë. 


Në lidhje me krimet e urrejtjes:

§  1 në 5 persona LGBT janë përfshirë në incidente ose krime të urrejtjes, për shkak të orientimit seksual ose/dhe identitetit gjinor, në 12 muajt e fundit.

§  2 në 5 persona trans janë përfshirë në incidente ose krime të urrejtjes, për shkak të identitetit të tyre gjinor, në 12 muajt e fundit.

§  1 në 6 persona LGBT, që s’janë trans (16%), janë përfshirë në incidente ose krime të urrejtjes gjatë të njëjtës periudhë.

§  Brenda 3 viteve, është rritur me 78% numri i personave gej, lesbike dhe biseksualë, që janë përfshirë në incidente ose krime të urrejtjes – për shkak të orientimit të tyre seksual.

§  4 në 5 incidente ose krime të urrejtjes anti-LGBT nuk janë raportuar në polici, për shkak të hezitimit nga të rinjtë LGBT.

§  3 në 10 persona (29%) LGBT shmangin rrugë të caktuara, sepse nuk ndihen të sigurt atje si persona LGBT.

§  Më shumë se 1/3 e personave LGBT (36%) shprehen se nuk ndihen rehat kur mbajnë dorën e partnerit/partneres kur kalojnë në rrugë. Kjo ndodh për 3 në 5 raste të meshkujve homoseksualë (58%).

§  Gjatë 1 muaji, 1 në 10 persona LGBT kanë përjetuar abuzim homofobik, bifobik ose transfobik në rrjetet online. Vetëm për personat trans, kjo ndodh për 1 në 4 raste.

Në lidhje me diskriminimin:

§  Gjatë vitit të fundit, 1 në 10 persona LGBT në kërkim të një shtëpie/apartamenti me qera/në shitje, janë diskriminuar për shkak të orientimit të tyre seksual ose/dhe identitetit gjinor.

§  1 në 6 persona LGBT (17%) që kanë vizituar kafenetë, lokalet, restorantet, klubet e natës, janë diskriminuar për shkak të orientimit të tyre seksual ose/dhe identitetit gjinor. Kjo, vetëm përgjatë 1 viti.

§  1 në 4 persona LGBT, pjesë e minoriteteve etnike, janë diskriminuar gjatë marrjes së shërbimeve sociale, për shkak të orientimit të tyre seksual ose/dhe identitetit gjinor.

§  Pothuajse 3 në 10 persona LGBT (28%) që kanë frekuentuar vende të besimit gjatë vitit të fundit, janë diskriminuar për shkak të orientimit të tyre seksual ose/dhe identitetit gjinor.

§  1 në 10 persona LGBT që janë aktivizuar në sporte gjatë vitit të fundit, janë diskriminuar për të njëjtat motive.

Disa nga pjesëmarrësit u shprehën kështu, lidhur me përjetimet diskriminuese ndaj tyre:

“Disa vajza nuk përdorën tualetin publik ku isha unë dhe preferuan të mbanin radhë te tualeti tjetër, sikur unë të isha e infektuar. Njerëzit hetero nuk e dinë sa të privilegjuar janë që nuk ua diskuton njeri dashurinë e tyre për dikë tjetër, ose lirinë e të shijuarit daljet romantike dhe të mos ju interesojë kush është përreth tyre ose sa të sigurt janë.”

“Shkova të raportoja një ngacmim dhe dëmtimin që pësova. Fola, më dëgjuan, por nga sjellja e tyre pata përshtypjen se nuk po më merrnin seriozisht.”

 

*Krimet e urrejtjes janë sjelljet armiqësore që bazohen në paragjykimet kundrejt një grupi shoqëror.

 

Burimi: Stonewall Report

 

http://www.stonewall.org.uk/comeoutforLGBT/lgbt-in-britain/hate-crime